Petkoviq: Opozitarët serbë erdhën në veri në marrëveshje me Prishtinën, prandaj u sulmuan

Petkoviq: Opozitarët serbë erdhën në veri në marrëveshje me Prishtinën, prandaj u sulmuan

Shefi i negociatorëve serbë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq ka thënë se deputetët e opozitës serbe Mirosllav Alleksiq dhe Aleksandar Jovanoviq Quta erdhën në Zveçan për të “provokuar njerëzit” dhe për të “bërë fotografi” dhe se ata kanë ardhur “në marrëveshje dhe sinkronizim me Prishtinën për të krijuar probleme për Beogradin dhe serbët e Kosovës”, raporton shtëpia mediatike N1.

I pyetur në konferencën për media për ardhjen e përfaqësuesve të opozitës në Zveçan për t’i dhënë përkrahje popullit, të cilët janë sulmuar me shok-bombë, Petkoviq ka thënë se sipas videove në të gjitha rrjetet sociale shihet se si “gratë dhe burrat që janë atje për ditë e javë duke mbrojtur komunën e tyre dhe të drejtën e tyre për të mbijetuar dhe qëndruar, kanë thënë qartë se ata nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”, duke thënë se kanë ardhur këtu “vetëm për të bërë foto” dhe “për të bërë përçarje në popull”, transmeton Paparaci.

“Ata kanë ardhur atje, padyshim në marrëveshje dhe sinkronizim me Prishtinën, që t’i krijonin probleme Beogradit dhe serbëve në Kosovë. Populli i përzuri nga Zveçani dhe ata u thanë qartë se nuk kanë çka të kërkojnë, sepse ata dhe shefat e tyre Jeremiq, Tadiq, Gjillas dhe të gjithë të tjerët – përgjegjës për krijimin e kufirit “mes serbëve” në Jarinjë dhe Bërnjak në vitin 2011, që e sollën EULEX-in që nuk bën asgjë për të mbrojtur ndonjë serb në Kosovë”, kështu flet zyrtari i regjimit serb.

Dhe e “çuditshmja” për të është se “e kanë kaluar kufirin me sukses dhe pa asnjë problem”.

“Natyrisht që kanë marrëveshje me (Ministrin e Punëve të Brendshme) Sveçlën dhe (Kryeministrin) Kurtin, sepse shihet se hyjnë dhe kalojnë pa problem si miq të Prishtinës”, ka pretenduar Petkoviq.