Sonte në stadiumin Fadil Vokrri - Entuziazmi i ndeshjes Ballkani – Dinamo Zagreb

Sonte në stadiumin Fadil Vokrri - Entuziazmi i ndeshjes Ballkani – Dinamo Zagreb

Rreth shtatë mijë bileta janë shitur për ndeshjen që Ballkani do ta zhvillojë të enjten kundër klubit i cili gëzon simpati të madhe në Kosovë – Dinamo Zagrebi.

Ballkani dhe Dinamo Zagrebi do të përballen në Prishtinë, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Ndeshja që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, nis nga ora 18:45.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka njoftuar se tashmë janë shitur të gjitha biletat për pjesën lindore, ndërsa nuk kanë mbetur shumë bileta edhe për pjesët e tjera të stadiumit “Fadil Vokrri”. Ballkani po i luan ndeshjet si vendës në garat ndërkombëtare në dy vjetët e fundit në stadiumin në Prishtinë.

“Jemi të nderuar për interesimin e jashtëzakonshëm që e keni treguar edhe kësaj radhe, duke i qëndruar besnik kampionit të Kosovës. Si shkak i kësaj, ulëset e pjesës lindore të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ janë rezervuar të gjitha”, shkruan në njoftimin e klubit Ballkani.

Ndërkohë, zëdhënësi i klubit suharekas, Jetullah Kuqi, ka thënë se rreth 7 mijë bileta janë shitur për ndeshjen ndaj klubit më të madh në rajon.

Në fakt, gjiganti kroat Dinamo Zagreb gëzon simpati të konsiderueshme në Kosovë. Në të kaluarën kanë luajtur shumë futbollistë shqiptarë për Dinamon. Më herët te Dinamo janë paraqitur lojtarë si Kujtim Shala, Ardian Kozniku, Fatos Beqiraj, Lirim Kastrati, Amir Rrahmani e disa të tjerë. Aktualisht Dinamo në skuadër e ka mesfushorin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arijan Ademi. Madje Ademi është ikonë e klubit nga stadiumi “Maksimir”.

Dinamo është klubi me më së shumti trofe në Kroaci. Mban rekordin me 24 tituj e 16 kupa të fituara në Kroaci. Merr pjesë rregullisht në garat ndërkombëtare. Në garat evropiane, Dinamo për herë të parë është paraqitur në edicionin 1958/59, që atëbotë njihej si European Cup.

Kjo është hera e parë për Dinamon që paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kryesisht ka luajtur në grupet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Pra, nuk po kalon momentin më të mirë.

Skuadra zagrebase ka tetë paraqitje në fazën e grupeve të Championsit, të fundit edicionin e shkuar. Ndërkohë, në Ligën e Evropës ka luajtur 10 herë në grupe, së fundi në edicionin 2021/22. Në edicionin 2018/19 arriti deri në 1/8 e finales të kësaj gare.

Skuadra e madhe nga Kroacia, pa dyshim se mbetet kundërshtarja më e fortë dhe favoritja kryesore për vendin e parë në Grupin C.

Ballkani e humbi ndeshjen e parë më 21 shtator në udhëtim kundër Viktoria Plzenit me rezultatin 1:0. Të shtunën Ballkani fitoi në kampionatin e Kosovës derbin ndaj Llapit, kurse Dinamo të dielën e humbi derbin e madh nga Hajduku i Splitit. Emir Sahiti ka vendosur derbin më të zjarrtë kroat.

Dinamo nuk po e kalon momentin më të mirë as në kampionatin kroat. Por mbetet favorit i madh ndaj Ballkanit, që vetëm për herë të dytë po paraqitet në gara evropiane.

Dinamo është klub i njohur edhe për nxjerrjen e lojtarëve kualitativë. Në dekadat e fundit ka rritur e ka shitur dhjetëra lojtarë që më pas janë bërë yje të futbollit. Në krye të listës është superylli kroat, Luka Modriq.

Në formë apo jo, ardhja e Dinamos garanton spektakël futbolli për të enjten në Prishtinë.